Adriana Informacion: Letërsia Shqiptare

9/03/2010

Ndre Mjeda


Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.
Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni").
Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.
Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.
Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.
Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".



Andrra e Jetës (analizë)



Në këtë poemë shoqërore-psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër, që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht pasqyrë e mendimeve të tij për jetën njerëzore dhe lumturinë.
Në qendër të vëmendjes është një familje e varfër malësore që përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat. Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës e Lokes.
"Andrra e jetës" hapet me një metaforë aq të thjeshtë sa edhe të hijshme, të gjallë e kuptimplotë:

Molla t'kputuna nji degët,
dy qershia lidhë n'nji rrfi
ku fillojnë kufijt e gegët
rrinë dy çika me nji nanë.

Kjo metaforë jep idenë e lidhjes së ngushtë të personazheve të veprës dhe, njëherësh të bën të parandjesh ndarjen e tyre. Me imtësi të zgjedhuara, poeti na e jep të gjallë mjedisin malësor:

U ndie një za te shtegu;
Cice, del se erdh murgjina
e mbrapa po vjen Trina
me i gjengj të sykës n'grykë!

Vajza e vogël vdes para kohe. Poeti përshkon thellë në mendimet dhe ndjenjat e nënës, e cila e jeton me dhembje fatkeqësinë, para se të ngjasë, në një natë të tmerrshme ankthi. S'ka gjë më tragjike dhe njëkohësisht më të lartë njerëzore, sesa skena midis Lokes dhe Zogës pas vdekjes së Trinës; habia fëminore e vogëlushes që s'kupton dramën në shtëpinë e saj, dhe kujdesi i dhembshur i nënës, e cila, duke qenë vetë nën peshën e rëndë të dhembjes, nuk do që ajo të rëndojë, të bjerë në shpirtin e njomë të vajzës.
Në pjesën e dytë, që i kushtohet Zogës, poeti ka derdhur ngjyrat më të ndritshme, duke dashur të shprehë nëpërmjet këtij personazhi ëndrrat e veta për të ardhmen. Në fillim jepen ndjenjat dhe dëshirat karakteristike për moshën e vajzës me forcë të veçantë psikologjike, pa sentimentalizëm, me shumë vërtetësi dhe kthjelltësi. Ëndërrimet rinore të Zogës realizohen. Ajo dashurohet dhe martohet. Poeti e përcjell me këshilla plot dhembshuri për jetën e saj të re. Së fundi, me një këngë plot optimizëm, na lajmëron se Zoga u bë nënë.
Është për t'u vënë rè se bukuritë e natyrës parakalojnë njëra pas tjetrës, për t'ia lënë vendin buzëqeshjes së fëmijës. Epilogun e poemës e përbën fundi i jetës së vështirë, plot saktifica e stoike të Lokes që, e mbetur vetëm, thërret vdekjen ta marrë.
"Andrra e jetës", megjithëse trajton një rast të veçantë, pasqyron tragjedinë e fshatarësisë shqiptare dhe dëshirën e saj të zjarrtë për një jetë më të mirë. Titulli i veprës ka një kuptim të thellë. Me këtë poeti s'ka dashur aspak të thotë se jeta është një iluzion, veçse jeta për të varfërit mbetet një ëndërr e parealizuar. Poema pra, në thelb është realiste me një gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të rënda të shoqërisë së kohës: mjerimin që mbyste
sa e sa jetë, ende të paçelura (fati i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante nënën nga e bija dhe e mbërthente të parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes). Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është një protestë e heshtur. Por jo më pak i fortë është fakti që, kur heroi ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën të kërkojë ngushëllim në iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të saj të padrejtë. Personazhet në poemë janë të gjalla e tipike dhe kanë një logjikë të brendshmenë përputhje me mjedisin ku jetojnë e veprojnë. Trina sapo është vizatuar, meqenëse edhe në jetë nuk arrin të zhvillohet si karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë e kryen rolin e vet. Me fati e saj është përgjithësuar fati i tërë atyrë fëmijëve fshatarë që vdisnin para kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e vështira të jetës.
Zogën e shohim në zhvillim: në fillim fëmijë naive, që nuk kupton ç'ka ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me ëndërrimet karakteristike të moshës së saj. Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime ajo është vajzë malësore tipike, e thjeshtë, punëtore, po edhe e aftë për ndjenja të thella e të fuqishme, që shokun e jetës e përfytyron "me rrip rreth brezit, me një gjashtore e një kacatore", pra, para së gjithash, trim.
Lokja është tipi i gruas malësore, punëtore, vetëmohuese, nënë e dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar tërë barra e familjes, se burrat i shuante pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti. Ajo sakrifikon rininë që të rritë të bijat, dhe është e lumtur, nuk jepet përpara vështirësive të jetës (të kihet parasysh qëndrimi me të vërtetë burrëror me të cilin mposht vdekjen e Trinës, kur mundohet të ngushëllohet me mendimin e jetës së nënshtruar të gruas në familjen patriarkale.
Mesazhi që përmban kjo figurë, është lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të japë asgjë. Dhe në fund të fundit ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën të aftë për të jetuar dhe për t'ia përcjellë një qënieje tjetër flakën e jetës.
"Andrra e jetës" pasqyron dashurinë e poetit për fshatarësinë e varfër, admirimin e tij për tiparet e larta morale të njerëzve të thjeshtë, në veçanti të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda nuk depërton në shkaqet shoqërore të dramës së heronjve të vet, as nuk mendon për rrugën e ndryshimit të gjendjes. Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive të jetës, në të ardhmen. Tek "Andrra e jetës" ka tragjizëm, po jo mohim të jetës. Së ardhmes poeti i këndon nëpërmjet zogës, e cila arrin të realizojë ëndrrën e vet për lumturi, megjithëse brenda kuadrit të ngushtë familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim simbolik.
Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor të poemës. Tërë pjesa e dytë është himni më i zjarrtë dhe bukurinë e saj. Në mendjen e lexuesit dy tabllotë e dhimbshme të pjesës së parë e të fundit shkrihen në tablonë madhështore të nënës që mban në krahë fëmijën, simbolin e vazhdimësisë së jetës.
Merita më e rëndësishme e "Andrrës së jetës", e parë në kuadrin historik, qëndron në dhënien e tablosë realiste të mjerimit në malësinë shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë të malësorëve ishte në mënyrë të tërthortë një akuzë kundër shoqërisë së kohës.
Nga ana artistike "Andrra e jetës" është një nga veprat më të përsosura të poezisë sonë. Ajo shquhet për atë thjeshtësi të mrekullueshme të subjektit dhe të stilit që karakterizon kryeveprat. Thellësia e mendimit shkrihet këtu me njomësinë e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me forcën përshkruese. Lakonizmi është i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për jetën dhe për dashurinë, skaliten tre personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra të forta e të qarta mjedisi malësor. Figuracioni është sa i thjeshtë, aq i pasur dhe kuptimplotë. Gjuha e poemës (shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje të krahinave përreth), është e larme, shprehëse, e saktë, e begatë me fjalë të rralla.
Mjeda është një poet atdhetar me prirje të theksuara demokratike që i këndoi lëvizjes kombëtare nga pozitat e fshatarësisë së varfër, së cilës i përkiste me origjinë. Nga këto pozita ai pasqyroi edhe mjerimin e popullit. Në atë pjesë të veprës së tij që trajton motive shoqërore gjejmë pakënaqësi nga realiteti i kohës, dhembje për fatin e popullit. Bashkë me Çajupin ai dha një ndihmesë të rëndësishme në kalimin e letërsisë sonë nga romantizmi në realizëm.
Qe kryesisht poet lirik, i një lirizmi që pasurohet shpesh me momente epike; dallohet si për ndjenjën e masës, ashtu edhe për forcë përshkruese. Poeti është edhe mjeshtër i përsosur i vargut dhe i strofës. Në poezinë e tij gjejmë një larmi të veçantë vargjesh dhe një begati strofash. Mjeda parapëlqen tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin. Tingëllimën e lëvron me mjeshtëri të veçantë.
Mjedën e karakterizon thellësia psikologjike në vizatimin e personazheve (Lokja dhe Zoga janë nga personazhet më të realizuara të poezisë sonë).
Në artin e tij shkrihen hovet e frymëzimit me punën këmbëngulëse për të lëmuar fjalën e për t'i dhënë shkëlqim.




Vaji i Bylbylit



Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?


Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.


Gjith; fushët e malet
Blerim e mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.


Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.


E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.


A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.


Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.


Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.


Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.


E kur t'zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.


Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis


E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.


Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.


A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.


Ndër tranfofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.


Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?



Gjuha Shqype



Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon;
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.


Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.


Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.


Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.


Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.


Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.


Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.


E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.




Liria



- I -
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja;
mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?


A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!


"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.



- VI -
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.


E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija


e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.


E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

No comments:

Post a Comment

Post a Comment